Çka tash për Aeroportin e Prishtinës

Kosova si vend me rrugë tokësore nga veriu në mëshirën e Serbisë, dhe me atë jugore të tërthortë dhe ende të pandërtuar, duhet të punoj më shumë në zhvillimin e trafikut ajror.

Në njëfarë mënyre, aviacioni paraqet për komunikacionin e vendeve të varfra çka telefonia mobile paraqet për telekomunikacionin. Një teknologji e lartë që mundëson kapërcimin e mungesës së infrastrukturës drejt zhvillimit të hovshëm.

Kosova për shkak të diasporës së saj, investitorëve potencial e pse jo edhe turizmit duhet të bëj më shumë për zhvillimin e aviacionit. Çka nënkupton aviacioni për Kosovën? Si industri intensive në kapital, teknologji dhe rrezik, Kosova duhet të fokusohet në rolin ekonomik që kryen ky transport për një vend të izoluar. Duke e marrë parasysh këtë interes kyç, atëherë edhe krijimi i politikave përkatëse bëhet më i qartë.

Nëse Kosova për momentin nuk mund të ketë kompani ajrore të veten, dhe po e njëjta ka nevojë për ta afruar vetveten me botën, atëherë opsioni i dytë më i mirë është që të krijohet një treg me taksa të ulëta aeroportuale dhe aeronaviguese ashtu që të joshen sa më shumë linja ajrore që të ofrojnë shërbime në këtë treg.

Shërbimet e tanishme në Aeroportin e Prishtinës lënë shumë për të dëshiruar si në nivelin e çmimeve ashtu edhe të kualitetit. Për nëntë vite (me përjashtim të muajve të fundit kur është vërejt një lëvizje) është bërë shumë pak në ngritjen e kapaciteteve të këtij aeroporti, që shpjegohet edhe me faktin që 40% të shpenzimeve kapitale prej €50 milionëve gjer tani janë përdorur për miqtë tanë islandez. Mos ta përmendi terminalin e arritjes apo banjat publike në vendin ku për herë të parë pritet të shkel këmba e një investitori potencial.

Çmimet e biletave nga Evropa për në Kosovë janë shpesh më të larta se ato ndër-Atlantike. Shpesh fluturimet janë indirekte dhe jo të përditshme. Linjat janë çarter, d.m.th jo të rregullta, që pjesërisht është arsyeja për çmimet e larta. Po ashtu, ka një koncentrim të tregut nga Gjermania, e tregje të tjera që shërbehen vetëm me nga një kompani ajrore.

Licenca që e morri aeroporti para disa ditësh e certifikon aeroportin si teknikisht të sigurtë për fluturime. Ajo licencë nuk thotë asgjë për një sërë gjërash të cilat unë po i përmendi këtu e me të cilat tash e tutje duhet të merret menaxhmeti i këtij aeroporti.

Të ballafaquar me rënie ekonomike, çmime të larta të naftës, dhe tani edhe një dollar të forcuar, tregu i kompanive ajrore në Evropë do të ndryshoj shumë duke u krijuar 3-4 gjigant që do të gllabërojnë kompanitë e rangut të mesëm të drejtuar respektivisht nga British Airways, Air France-KLM dhe Lufthansa si dhe 2-3 bartës buxhetor si Ryanair dhe EasyJet. Një numër i kompanive të tjera ose do të dështojnë ose do të bëhen pre e liderëve të tanishëm. Fytyra e re e bartësve evropian do të jetë shumë më e konsoliduar. Shërbimet ajrore do të tkurren në ato më të domosdoshmet dhe më profitabilet për të lejuar mbijetesën.

Qëllimi i Kosovës dhe i aeroportit të saj të vetëm duhet të jetë tërheqja e kompanive buxhetore (low-cost carrier) si Ryanair dhe EasyJet të njohura për çmimet e ulëta. Kur është e mundur, këto fluturime duhet të ofrojnë lidhje dytësore të mjaftueshme për në destinacione të tjera, si për shërbim më të gjerë të udhëtarëve ashtu edhe të mundësohet përditshmëria e këtyre fluturimeve drejt Prishtinës. E theksoj se është kritike për biznesin që për një investitor apo menaxher të vij në Kosovë në mëngjes e të kthehet në mbrëmje në shtëpi. Përditshmëria e fluturimeve, e jo vetëm gjatë verës, e ven në lëvizje një dinamikë krejt tjetër për gatishmërinë për biznes të Kosovës.

Për të tërhequr kompanitë ajrore buxhetore, duhet të ulen taksat aeroportuale dhe të ngritën shërbimet duke filluar me kohën që avionët e kalojnë në tokë. E për t’u ulur taksat, duhet të ulen shpenzimet e tanishme në aeroport, që mund të kompensohen me të ardhura alternative nga shërbimet në terminal që në aeroportet moderne sillen prej 30-60%.

I këshilloj liderët politikë të Kosovës që gjatë kyçjes së kapitalit privat në aeroport të mos e shohin atë si një aset të zakonshëm. Aeroporti nuk duhet të shihet si mënyrë e drejtpërdrejtë për të fituar maksimumin nga ai apo për uljen e papunësisë në Kosovë. Megjithëse me një politikë të mençur, ato do të jenë vetëm dy prej rezultateve të një aeroporti të suksesshëm.

Ja si të promovohet Kosova

Është folur për programin tre milionësh për promovimin e Kosovës në televizionet globale. Fatkeqësisht ky plan është shumë i kushtueshëm dhe nuk arrin sa duhet. Ja alternativa.

Reklamimi i shtetit më të ri në botë në televizionet ndërkombëtare si Al Jazeera, CNN dhe BBC do të ishte ëndërr e çdo menaxheri të marketingut. Fatkeqësisht tre milion janë shumë pak për ta arrit këtë cak, dhe fatmirësisht më shumë se sa nevojiten për metodën e dytë më të mirë, që është interneti.

Me 2007 në internet kishin qasje 747 milion njerëz anekënd globit. Kjo është më pak se sa televizioni por pothuajse të gjithë njerëzit që do të ishin me interes për kampanjën e marketingut të Kosovës.

Çka kemi sot? Imazhin e një vendi jo stabil, ku gjeja e parë që një të huaji i vije në mend është lufta e vitit 1999. Rezultati: një shumë e investimeve nën €400 milion, shumë pak prej tyre nga jashtë, dhe mëdyshje politike rreth meritës së ekzistimit të këtij shteti.

Interneti është metodë shumë e lirë dhe efikase e reklamimit. Nëpërmjet tij sot mund të caktosh cakun e njerëzve që i synon dhe ta përshtatesh mesazhin varësisht çka dëshiron t’i komunikosh atij caku. P.sh.: në këtë moment unë mund ta krijoj një kampanjë reklamimi në internet me cak meshkujt e moshës 30-60 vjeçare në Arabinë Saudite që kanë kryer shkencat politike apo marrëdhëniet ndërkombëtare apo biznesin ndërkombëtar.

Ky grup i njerëzve potencialisht do të ndihmonin në krijimin e opinionit për njohjen e Kosovës prandaj edhe është shumë me rëndësi që ta kenë parasysh mesazhin tonë që pastaj do të shpjegohej gjerësisht me një faqe interneti në gjuhën e tyre, gjëra këto që do të ishin të pamundura të bëhen me një klip televiziv 30 sekondësh.

Këto janë mundësitë teknike që i ofron interneti.

Ka gjëra të tjera në të cilat qeveria kosovare tregon mangësi. Ministria e Punëve të Jashtme e filloi faqen në internet diku në fillim të shtatorit. Kryeministria rifilloi me freskimin faqes që prej largimit të qeverisë Çeku diku në fund të majit.

Faqja e MPJ-së nëse nuk kërkohet me kujdes nuk rezulton fare në Google. E kur ta gjen, çfarë të shohësh aty, margaritar të anglishtes së dobët si ky: “It is my pleasure to address to this conference, hold at a crucial moment for Kosovo and the region in general. The content of this conference, from the topics point of view to be discussed as well as with regard to representation, is increasing its significance.”

Hiperlidhjet si Tourism and Cultural Inheritage të dërgojnë në faqe të palës së tretë e Investments in Kosovo (sic!) nuk të dërgojnë askund, edhe pse një faqe për promovimin e investimeve e financuar nga qeveria ekziston në internet. Askund nuk jepen informata pse të njihet Kosova apo çka përfaqëson Kosova, që në këto momente duhet të jetë qëllimi i kësaj ministrie. E kur jemi te detajet, le të vendoset nëse është e verdha apo e arta ngjyra e stemës qeveritare dhe nëse emri zyrtar është “Kosovo” apo “Kosova”.

Kryeministria është bërë shumë e mirë në kohët e fundit në raportimin e shpejt të punës së saj si në shqip ashtu edhe në anglisht në internet. Kjo është e mirëseardhur si për Kosovën, ashtu edhe për qeverinë për pikët politike që i merr duke i raportuar arritjet e veta dhe në njëfarë mënyre menaxhuar lajmin.

Por asnjëra prej këtyre institucioneve nuk i publikon deklaratat për shtyp në anglisht në agjencitë përkatëse që merren me shpërndarjen e tyre në Google News e gjetkë ku pastaj do të lexoheshin nga gazetarët dhe palët tjera të interesuara në internet.

Tani më asnjeri prej liderëve qeveritar nuk i afrohet medias ndërkombëtare me opinione të shkruara që një kohë i bënte Agim Çeku në Wall Street Journal e rreth kohës së pavarësisë edhe Hashim Thaçi.

Interneti ka edhe një rëndësi tjetër. Ai mundëson rendim të argumenteve e të aktiviteteve me miqtë tanë nëpër botë.

Nuk pajtona me ministrin e Jashtëm Hyseni kur thotë se çdo gjë e mundshme është bërë. Metoda shumë të lira dhe të efektshme për të influencuar opinionin botëror po lihen anash.

Këto që i thashë nuk duhet të interpretohen si shfajësim i shoqërisë civile.

Botuar ne telegrafi.com